Harmonizohen të dhënat për vendosjen e matësve të energjisë

DSC04496

14.11.2017, Prishtinë

Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e implementimit të projektit për vendosjen e matësve të energjisë termike, i cili do të mbështetet nga fondet e Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit – MCC (Millenium Challenge Corporation), Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, Naser Canolli me bashkëpunëtorë, ka pritur sot në një takim Cindy Sobieski përfaqësuese e MCC-së dhe Alban Zogajn nga Zyra kombëtare e MCC-së.

Në këtë takim informues përfaqësuesve të MCC-së u janë ofruar të dhënat e kërkuara lidhur numrin e konsumatorëve, statusin e tyre, mënyrën e kyçjes së konsumatorëve (shtrirja e rrjetit të ngrohjes në mënyrë vertikale dhe horizontale) etj.

Në kuadër të këtij projekti do të vendosen matësit e energjisë termike tek të gjithë konsumatorët e NP “Termokos” SH.A, gjë që do të ndikojë në efiçencën  energjisë termike si dhe në përmirësimin e mirëqenies ekonomike të konsumatorëve tanë.

Projekti për instalimin e matësve të energjisë termike në vlerën e afro 10.9 milion dollarëve, është një nga projektet, ku do të orientohet fondi 49 milionë dollarësh, që MCC-ja e ka miratuar për të financuar projekte në fusha të ndryshme në Kosovë.