Shfrytëzoni mundësitë e shumta, që u jep Ligji për faljen e borxheve

Termokos View

14.07.2016, Prishtinë

NP “Termokos” SH.A është një nga kompanitë e para, që ka filluar me realizimin e Ligjit Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike.

Për më shumë se 10 muaj që nga fillimi i realizimit të këtij ligji, deri më tani në saje të marrëveshjeve, që janë lidhur me 1.709 konsumatorë janë falur rreth 1 milion e 700 mijë euro, ndërkaq, nga falja e pakushtëzuar e borxhit pa procedura të mëtejme, ashtu siç e parasheh ligji, kanë përfituar 611 konsumatorë me borxh deri në 100 euro.

Edhe rreth 9 milion e 800 mijë euro është shuma e borxhit nga viti 1999 e deri në përfundim të vitit 2008, për të cilat deri më tani nuk ka pasur kërkesa nga konsumatorët borxhlinj për të hyrë në procedurë për faljen e borxhit.

NP “Termokos” SH.A, mirëpret gatishmërinë eventuale edhe të rreth 7 mijë e 700 konsumatorëve, të cilët kanë borxhe ndaj kompanisë sonë dhe mund të përfitojnë nga mundësitë e shumta, që u jep Ligji për faljen e borxheve publike. Pasi që, afatit për realizimin e këtij ligji po i afrohet fundi dhe ai do të jetë në fuqi vetëm deri më 2 shtator të këtij viti, apelojmë edhe një herë tek të gjithë konsumatorët borxhlinj,  që të paraqiten në Shërbimin për konsumatorë për të lidhur marrëveshjen, e cila i paraprinë hyrjes në procedurë për faljen e borxhit.

Në rast se ata nuk do të paraqiten deri më 2 shtator, nuk do të përfitojnë nga falja e borxheve, borxhi i tyre disa shifror ndërkohë mund të rritet, ndërkaq, NP “Termokos” në pamundësi të inkasimit të këtyre borxheve do të jetë i detyruar që të zbatojë mundësitë tjera ligjore për inkasimin e borxheve nga konsumatorët apo shkyçjen e tyre nga rrjeti i ngrohjes.